Friday, March 4, 2016

Disa receta te shpejta, shume te shijshme me Patate

Raclette




Raclette eshte nje recete tipike zvicerane. Zakonisht konsumohet ne dimer, sepse i shkon shume te ftohtit. Elementi baze i raclettes eshte djathi me te njejtin emer, karakteristike e te cilit eshte sasia e madhe e yndyres. Djathi, vendoset ne ca lopatez metalike, futet ne nje lloj aparati-tave enkas per raclette qe mundeson qe djathi te shkrihet. Kur djathi shkrihet ai, me ndihmen e nje luge druri shtyhet per ne pjate, ku paraprakisht jane vendosur patatet e ziera. Zakonisht, shoqerohet me turshi; qepujka, misra dhe kastraveca. Por, njerezit e kane shtyre kreativitetin me tutje dhe kane shpikur nje aparat raclette te shoqeruar me funksion grille. Kjo mundeson qe pervecse recetes tradicionale me patate, djath e turshi, pjates t'i shtohen edhe mish i pjekur ne grill, apo speck, apo kerpudha dhe qepe. Secili tregon kreativitetin dhe preferencat e tij. Nje sekuence raclette tregohet me poshte. Ju befte mire!








Caji eshte shume i rendesishem gjate ngrenies se Raclette: ekuilibron djathin. Keshillohen sasi te konsiderueshme caji, perndryshe djathi bie shume i rende ne stomak dhe kenaqesia shnderrohet ne nje mundim. Sigurisht, vera e bardhe eshte gjithmone ne elementin e vet prane raclettes.


Shija supreme e gjerave te thjeshta


E djele. Mengjes. Qiell i paster blu. Dielli i plote dhe i ngrohte. Hap dritaren. E di. Kjo eshte nje nga ato ditet qe njeriu duhet ta jetoje me te gjitha shqisat. Mbyll syte. Degjon kengen e zogjve dhe feshferimen e gjetheve. Ndjen eren e lehte te te ledhatoje e, teksa ben keshtu, te heq gjumin, meraqet, ankthet. Fillon dhe nuhat. Eren e tokes. Te pemeve. Dhe fillon te shkosh neper mend te gjitha llojet e mundshme te shijeve per te gjetur ato qe i shkojne kesaj dite. Jo gatime kulinarike. Gatime te thjeshta qe i ngelen besnike tokes qe i prodhon. Gatime qe te bejne te ndihesh plotesisht bir i natyres.

1. Patate ne tave

Patatet qerohen, lahen, thahen, priten ne formen e deshiruar (jo shume te trasha), sperkaten me kripe, vaj ulliri, hapen ne tave, hidhet rozmarine e fresket, futen ne furren e parangrohur ne 220°C, piqen derisa te marrin nje ngjyre te arte deri ne te kuqerremte.

2. Qofte

(per 4 persona) 500 - 700gr mish i grire, 1 qepe e grire ne rende, 1 hudher e shtypur, 1 patate (e qeruar dhe pastruar) e grire ne rende, 2 veze, tule te 2 feta buke te thermuara imet (lagini paksa por kullojeni mire ujin). Perziejini mire.

Shtoni kripe, piper te zi, majdanoz, koper, menderz (mente) te gjitha te prera holle. Perziejini mire. Me mira do te ishte ta linit kete perzierje per disa ore te qete, qe shijet te fillojne dhe te shkrijne tek njera-tjetra; por behen te mira edhe kur gatuhen shpejteshpejt. Formoni me masen toptha apo peta te ciles madhesi t'ua doje qejfi. Rrotullohini ne miell dhe verini te skuqen ne nje tigan te madh me vaj ullirite nxehur mire deri sa miqi te jete pjekur tejpertej. Kombinoini me patatet.



3. Sallate me domate


Qofte me patate ndoshta do te mjaftonte, por eshte paksa e thate dhe minimaliste. Nje sallate me domate do te ishte kompensatori me i mire. Domate te pjekura, por jo qulle, pritini ne formen qe ju deshiron estetika juaj ose sipas estetikes se gjyshes. Grini nje qepe holle, shtypni nje hudher, hidhini te dyja ne nje filxhan me vaj farash kungulli (ne se nuk e keni perdorni vajin e ullirit) dhe aceto balsamico. Lerini te flene pak bashke. Para se ta hani sallaten e domateve sperkatini ato me perzierjen e filxhanit.


Per pak me shume tangerllik, pritni djathe te bardhe ne copa te vogla, zbukurojeni me feta vezesh te ziera mire dhe me koper.

Ju befte mire!

Patate te mbushura


Shpirti nuk mbahet me patlixhana, - tha. Me se e vertete, - themi ne. Keshtu qe po kalojme tek patatet. Ato te mbushura. Alla Jamie. Alla italianita. Alla verore. Me nje touch gjysheje. Per kete recete ju duhen patate mesatarishit te medha. Nje lugeze e vogel per te hapur vrima patatesh. Salbei. Hudhra. Vaj ulliri. Kripe. Sardele konservash ne vaj ulliri (e ku tjeter!). DHE! Speck! Te prere holle, horizontalisht.
Fillimisht hapuni patateve nga nje vrime tejepertej. Mos i hidhni poshte indet e patates se germuar, lerini per momentin menjane. Merrni ingredientet e siperpermendur dhe filloni operacionin e meposhtem. Nje cope speck. Siper speckut, nje gjethe salbei. Siper salbeit, feta e hudhres e prere holle. Siper hudhres, nje sardele (ose nje cope sardele).


Rrotullojini duke i mbeshtjellur brenda speckut keto delikatesa. Derisa te duket si ne figuren e meposhtme.



Kini parasysh qe ky cilinder gjerash do futet brenda patateve, te sperkatura paraprakisht me vaj ulliri. Mbushini te gjitha patatet dhe rreshtojini ne tave. Shperndajini ato patatet e germuara dhe te lena menjane midis. Sperkatini me vaj e kripe. Hop ne taven e paranxehur ne 200°C. Degjoni Franz Ferdinandin per rreth 1 ore, dhe kthejuni patateve qe jane pjekur e ngjyrosur si per merak te stomakut.
Ju befte mire!


Pizzocheri



500gr pizzoccheri
500gr pazi
8-9 kokrra mesatare patate
dy kokrra hudhre
nje tufe salbei
200gr gjalpe
300gr djath Fontina

Pizzoccheri te krahines Valtellina (Lombardi), patatet, gjalpi, salbei me hudhren dhe djathin ne qender, pazia. Gjethet e salbeit jane te ngjashme me ate te cajit te malit, vetem se me te medhaja.

Pritini patatet, djathin, salbein dhe pazine ne copa te vogla. Per pazine, najini fillimisht gjethet jeshile nga kercelli i bardhe, dhe pastaj pritini. Mbajini te ndara nga njera tjetra sepse kane kohe te ndryshme zierjesh. Kur te keni mbaruar kete faze, merrni nje tenxhere te thelle, mbusheni me uje, hidhini kripe dhe vereni ne zjarr te forte. Njesoj sic beni per makaronat.

Derisa te behet uji: Ne nje tigan hidhni gjalpin, lereni te shkrihet ne zjarr te avashem. Shtoni salbein dhe hudhrat e shtypura. Kaurdisini per disa minuta, hiqeni nga zjarri dhe lereni menjane. Nderkohe ne tenxheren me ujin qe vlon shtoni pizzoccheri, patatet dhe kercellin e pazise. Lereni te zjeje per rreth 10 minuta. Shtoni gjethet e pazise dhe lerini te zjejne shume shkurt, rreth 5 minuta. Hiqeni tenxheren nga zjarri, kulloni ujin.

Merrni nje tave furre dhe filloni te shtroni ingredientet ne shtresa: nje shtrese pizzoccheri, patate, pazi, sperkatini me salbei, hudher dhe gjalpe te skuqur, shtojini nje shtrese Fontina. Perseriteni disa here kete ritual, derisa t'i keni mbaruar te gjitha ingredientet. Futeni ne furren e paranxehur ne 220°C dhe lereni te piqet aq sa te kete marre nje kore te arte siper. Hiqeni nga furra dhe ndajeni neper pjata. Nje gote vere e kuqe, e rende (Rioja), i shkon per mrekulli si shoqeruese.

Ju befte mire!

Tave me patate ne krem qumeshti

Per 4 persona:

1-1.2kg patate (te tipit per t'u gatuar ne tave)
1.2L krem qumeshti
piper i zi
kripe
muskat


Patetet qerohen, lahen dhe priten ne forme rrethore, jo shume te trasha. Shtrojini ne nje tave.

Shtoni, piper te zi, kripe, muskat te sapogrire dhe kremin e qumeshtit. Mos e kurseni kremin e qumeshtit. Hidhini aq sa patatet te lagen me te mire. Futini ne furre ta paranxehur ne 220°C dhe lerini te piqen derisa te zene nje kore te bukur te kuqerremte persiper, dhe kremi te jete trashur. Kujdesuni qe here pas here t'i perzieni patatet mire qe te piqen ne menyre te njetrajtshme.

Ju befte mire!


Keshilla praktike:
1. Kjo lloj tave mudn te perdoret e shoqeruar thjesht me buke dhe nje sallate, por edhe me mish (psh. mish i shuar ne vere te kuqe) dhe me zarzavate te tjera.
2. Tava me patate mund te pergatitet edhe ndryshe. Patatet, pasi jane prere ne forme te rrumbullaket (ose forme tjeter sipas preferences) perzihen me vaj ulliri, kripe, piper te zi, sipas deshires mund t'i shtohet edhe rozmarine, dhe vihet ne furre te piqen.
3. Muskat, ose ndryshe muscade, nutmeg eshte nje fare me origjine nga Azia tropikale dhe Australia. Perdoret shpesh si erez gjate gatimit. Gjendet ne dyqane ushqimore ne forme fare apo te grire. Me e mira eshte ta blini ne forme fare dhe ta grini ne rende perpara gatimit.

No comments:

Post a Comment

NA NDIQNI NE YOUTUBE: